Prof. Vittorio Riguzzi Espressionismo simbolico Critico d'arte
Dott.ssa Zara Finzi ...poetica del farsi Critico d'arte
Principessa Martha Nassibou ... un viaggio mistico nel cuore Artista, Pittrice
Dott.ssa Beatrice Buscaroli Un mondo sconfinato Critico d'arte
Dott. Roberto Pettini Gioia di Vivere Critico d'arte

shqipe

Mauricio Karuzo ka lindur më 23 shtator 1957 në një fraksion të vogël në Montalto Uffugo, më saktësisht Parantoro, vend ky që gjendet në rrëzë të vargut bregdetar të provincës së Kozencës në Kalabri. Që në fëmijëri i është përkushtuar pikturës, duke filluar që të vizatonte kudo, të bënte skica, të linte shenja dhe duke qenë se nuk kishte para as për telajot e as për fletët e vizatimit, përdorte gjithçka që mund të përdorej: gjer edhe letrat për të mbështjellë bukën. Mbas shkollës tetë-vjeçare regjistrohet dhe ndjek Liceun Artistik Shtetëror të Kozencës ku bie në sy për ngjyrat dhe fantazinë pjellore që shfaq në punimet e tij në pikturë dhe merr pjesë në ekspozita kolektive me studentë të tjerë. Mbas përfundimit të studimeve artistike transferohet në Padova për motive pune, shkon shpesh në Venecia dhe vizaton për së gjalli peisazhet e bukura duke preferuar teknikën me akuarel dhe karbon. Më pas transferohet në Firence ku merr pjesë në disa konkurse grafike. Gjatë viteve tetëdhetë transferohet për një periudhë kohe në bregdetin Apuan dhe banon si në Masa ashtu edhe në Karrara ku frekuenton ambientin akademik dhe bashkohet me grupin e skulpturës së Masimo Testës nga Asti dhe Korrado Gudercos nga Gjenova. Nga 1988 transferohet në Bolonjë ku thellon njohjen e pikturës së mjeshtrave si Guerçino, Karraçëve, Guido Renit, Morandit, etj…. Nga 2000 firmos si grafist kopertinën e revistës me poezi “Parole” të grupit poetik Laboratori i Fjalëve dhe është i pranishëm në antologjinë poetike të tyre shtypur nga Pendragon në dhjetor 2005. Merr pjesë në manifestime të ndryshme si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar si ekspozita kolektive dhe personale pikture, është autor faqesh grafike, kopertina librash, pllakate për autorë të ndryshëm dhe për ngjarje kulturore institucionale dhe vijon aktivitetin e tij duke kërkuar gjithmonë të thellohet në tematikat e reja piktoreske, gjë që e bën të vlerësohet me një sërë reçensionesh nga emra me nivel të lartë të panoramës kulturore bolonjeze dhe italiane.

 

Mauricio Karuzo

Studio dhe banim: via Bruno Monterumici, 36/3 - 40133 Bologna.

tel. 0515877590 – cell. 3386006141

e.mail  Questo indirizzo e-mail è protetto dallo spam bot. Abilita Javascript per vederlo.

www.MaurizioCaruso.it




Kanë shkruar për të ….

 

Një klimë ekzotike

gjëja e parë që të godet nga veprat e Mauricio Karuzos janë ngjyrat. Edhe kur bëhet fjalë për fytyra (kryesisht femërore), apo kafshë apo sende dhe peisazhe, figuracionet e tij me shumë fantazi duket sikur janë rezultate ngjyrash e ngjyrash, që pak nga pak, sikur të kishin një kujtim të vjetër të mozaikut, kërkojnë njëra-tjetrën dhe plotësohen; sikur vetëm të mos kishin kuptim por që së bashku marrin një kuptim përfundimtar….”.

 

Prof. G. Lauretano

 


Trajta dhe ngjyra që dallohen menjëherë “….Në dukje veprat janë të ngjizura me citime të larta, të përsëritura. I fortë është edhe aluzioni i seçesionit austriak, e veçanërisht i Gustav Klimtit. Copëzat e mozaikut në bardh e zi dhe në ngjyrat e ngrohta (e kuqe, portokalli, okër me pak jeshil e blu) bashkohen në një sfond harmonik ngjyrash të pastra, nga të cilat disa syresh do frymëzonin krijimtarinë e Otavio Misonit …”

 

Prof. Zara Finzi


Vizatimet dhe ngjyrat e Mauricio Karuzos

“…Mauricio Karuzo na paraqet një pikturë tërësisht personale ku syri i tij intim hulumton botën e jetës, të gjërave ekzistuese e të atyre të krijuara nga një fantazi imagjinate, ëndrre, perceptimi, nëpërmjet së cilës shpreh këndvështrimet e tij të brendëshme, duke kërkuar të diktojë thelbin shpirtëror të jetës …”

 

Prof. F. Finardi

 


Mauricio Karuzo: shpikja ëndërrimtare e realizmit “edhe në qoftë se vullneti ëndërrimtar që udhëheq dorën e piktorit në veprat me akrelik dhe tempera të shpie te sugjestimet që mund të gjejmë te De Kiriko, fuqia e masës së ngjyrës, goditja e fortë vizive që në disa vepra si një bam (përpara shpërthimit), dallon figurat, në plan të parë të kujton skansionimin e masave të Salvatore Fiumes, mbi gjurmët e një eksperience kërkimore të ekzotikes, e cila që nga avanguardjet u vjen nëpërmjet veprës së tij këtyre figurave negroide të Nubias….”

 

Prof. Stefano  Benassi

 


Mauricios
“….Ndjehet, duke parë këto vepra të Mauricio Karuzos të përshkuara nga pulsione të mistershme, që përkufizimi apo paqja formale do të bënin që të ndërprihej ai fluks shqetësimesh që Karuzo mbart në vetëvete, dëshmitar i shqetësuar ditësh të mundimshme.”

Maestro Raoul Grassilli




Një ngjyrë e gjallë dhe shumë serioze


“Ashtu sikur në një përmbledhje midis kulturash të ndryshme e të largëta, përgjatë galerisë së fytyrave femërore arabeske apo indiane apo të trajtuara nga një Klimt i dehur me futurizëm, ajo që del në plan të parë, në transparencën e menjëhershme të gjestit, të ishte rrënja e mistershme e jetës që e mund kohën”

 

Prof. Davide Rondoni

 


Kështjella e Salemit

 

“…elementi kromatik ka funksion diakronik, paraqet kalimin e kohës, rrjedhjen e jetës së njerëzve, alternimin e stinëve, të ardhmen e përhershme që, gjithsesi, nuk bie ndesh me ngjyrën e ngrohtë të gurit të mënyrës mesjetare që mbizotëron qytetin …”

 

Poetesha Rosanna Sanfilippo

 



“…aftësi e dallueshme e trajtës së shenjës dhe e përdorimit të ekuilibruar të ngjyrës … … kompozime të harmonishme që zgjidhin nevojën e gjeometrive “të kontrolluara”. Teknikat e ndryshme … të përziera me mjeshtri, duken sikur ciflosin përzgjedhjet e tij tematike …”

 

Prof. Franchino Falsetti

 

 


“….personalitet i theksuar në kompozimin e pikturave të tij ku takohen e gërshetohen elementë të shumfishtë e të ndryshëm figurativë. … Venë narrative tërheqëse në përdorimin e trajtave ikonografike me shije orientale.”

 

Prof. Daniela Bellotti

 



Mikut të çmuar Mauricio Karuzo


Mauricio Karuzo na shpie në një udhëtim mistik në zemrën e fantazisë së gjenialitetit të tij që me pamjen e shumëllojshmërisë, herë mistike e herë gazmore, evokon misterin dhe na shfaq botën e ëndërrimeve të tij. Na transporton në zbulimin e një universi që është i ndrydhur në vetë dëshirat tona. Çdo vepër frut i magjisë geniale të krijuesit të saj, në unicitetin e saj është në të vërtetë një copëz e afreskos së madhe që celebron jetën në shumëllojshmërinë e dimensioneve të saj, në një bashkësi ngjyrash të ndezura, verbuese dhe ku një lum i përjetshëm, simbol i kohës që kalon, përshkon historinë e ndjeshme të artit të njerëzimit.


Princesha Martha Nassibou




Mauricios.....

Te Karuzo karakteristika që mbi të gjitha më godet në pikturën e tij aspak karnavaleske apo të çuditshme, përkundrazi dramatike, aq fort dramatike sa më e ndezur e më e fortë është ngjyra që e cilëson: në pikturat e tij, ndërmjet asaj vorbulle lëvizjeje të fragmentuar e marramendëse, ajo që shpesh izolohet e merr vlerë dhe simbol, është pikërisht figura e një gruaje apo i një burri: e thjeshtë, e pastër, esenciale, aq esenciale saqë shpesh është monokromatike. Një figurë esenciale, shtatore, me sytë e ngulur që vështrojnë larg. Është gjithmonë e rrezikshme që nga këto konsiderime të krijosh një mendim mbi njeriun dhe mbi njerëzoren, por gjithësesi një mendim dua t’ua shtie në mendje, ashtu sikundër këto kuadro të Karuzos ma shtien në mendje edhe mua vetë: kontrasti ndërmjet fytyrave dhe poliedricitetit të formave, të ngjyrave, të lëvizjeve, të valëve që u rrijnë përreth është aq i qartë sa që pastërtia dhe “hajthmëria” e secilës fytyrë kthehen gati në një paralajmërim, një tërheqe vëmendjeje, si të thuash: bota jonë moderne na ofron mijëra e mijëra nxitje, impute, simbole, lëvizje, shpërqëndrime, por shihni, konsideroni atë që mbetet akoma esenziale te njeriu, ç’është vërtet e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme që del në pah: fytyrat e njerëzve tanë të afërm. Ç’mbetet janë vetëm valë që shkojnë.


Dr. Luca Nannipieri




Mesazhi i Artit të Mauricio Karuzos


“Kthimi në heraklitas përzier me mesazhe kristiane dhe pikturuar me ngjyra që të kujtojnë ato të Van Gogut: kështu do ta përkufizoja shkurt Pikturën e Mauricio Karuzos (gërma e madhe e shtypit është e domosdoshme duke konsideruar nivelin e Artistit) . Kërkime formash që shprehin pikërisht të qënit në të ardhmen (ja pikërisht Herakliti) me trajta të sinqerta e të vendosura që përpiqen – duke ia dalë më së miri – të përfshijnë spektatorin në çdo kuadër, duke e bërë atë pjestar të një kërkimi ekspresiv që tejkalon shpesh çdo rregull, duke sublimuar në këtë mënyrë pikturën dhe duke transformuar kështu kërkimin në Kërkim. Pra, siç do të thoshte Juan Arias, “e vërteta jote? Jo, e Vërteta. Le ta kërkojmë pra së bashku. Tënden mbaje”. Ky më duket “mesazhi” kryesor që na drejton Arti i Mauricio Karuzos. Dhe nuk është pak.”.


Dr. Alessandro Tonarelli




“Kujtime dhe ëndërrime”


Mauricio, që prej disa vjetësh tashmë, e kam rigjetur nëpërmjet ekspozitave të tij, dhe kam rigjetur te ai atë mënyrë të ndërtimit me ëndrra. Në atë epokë ai sapo kishte ndërmarrë si me ndroje rrugën e tij në mënyrë gati të pandërgjegjshme; ndërsa sot ajo është më e plotë, më e ndjerë, me vetëdije e me një lehtësi të zhvilluar të të ndjerit. Veprat e tij të para, sigurisht më të dlira, i lanë vendin këtyre të rejave, ku Karuzo merr në penelat e tij jo vetëm ngjyrat por edhe një dozë të rëndësishme të ëndërrimit të tij që hidhet në telajo duke e përmbytur, duke transformuar peisazhet e tij dhe vendet reale, në udhëtime nëpër vende të largëta brenda kujtesës dhe vizioneve ëndërrimtare të secilit. Karuzo, në këtë mënyrë, na bën që të marrim pjesë aktivisht në zbulimin e hapësirës së interesuar nga ngjyra, dhe na propozon, edhe përtej kufijëve të telajos, kërkimin e vazhdimësisë së saj ideale, në atë përzgjatje të ëndrrës në të cilën të gjithë ne, po të duam, mund të imagjinojmë vijimin e saj apo tonin personal.


Gjenovë 30 janar 2008.


Prof. Corrado Guderzo




Firence, Mauricio Karuzos

Element i fuqishëm në pikturën poetike të Mauricio Karuzos është ngjyra, e dhunëshme për energjinë jetësore që shpreh e që modelohet në forma e figura të shpirtëruara, që shquhen pikërisht për ngjyrat e forta, tensionet e ndritëshme, hera-herës verbuese, agresive, gjithmonë të hareshme e gazmore, në timbrat e gjalla, të ngrohta, që shfaqen në mënyrë të menjëherëshme. Është një lojë figurative, një asemblazh copëzash që shfaqen në pranitë e evokuara nga civilitete universale të qënies, në përndezje të habitshme dhe të guximshme të atyre përzierjeve vërtet të pazakonshme, midis ambienteve dhe krijesave që ndëreagojnë e që burojnë nga një frymëzim i thellë. Harlisja e ngjyrave krijon kështu një gjuhë personale dhe origjinale mbi telajo në një kaleidoskop të gjallëruar që të përfshin me evokacionet e profileve shpesh herë sensuale dhe joshëse, për emocionet e gjalla që lindin gjithmonë nga një takim i shqisave, që është në të njëjtën kohë konkret dhe fantazioz, siç është pikërisht edhe shpërthimi i vibracioneve të tij elokuente dhe sekrete.


Prof. Paola Lucarini Poggi




Përralla në peshtaf


Krijimtaria nxjerr gjithmonë shenja, forma, dekorime, hapësira …. Në pikturën e Mauricio Karuzos, emocioni dhe fantazia na përfshijnë si udhëtarë nëpër rrugë skenike imagjinare. Lindur në Kalabri në ’73-shin ai bën pjesë në atë avanguardje kolektive që ndjen, së bashku me artistë të tjerë si Giovanni Apreda, Enrico Meo, Mimmo Legato, Salva
tore Russo, frymën e një shpërthimi artistik revolucionar. Avanguardje e cila, e lodhur nga palëvizshmëria e vuajtur e historisë merdionale, dhe e ushqyer nga proza e Korrado Alvaros, apo nga poetika e F. A. Costabiles, shtyn drejt të rejave artistike në gjurmët e Mjeshtrave më përfaqësues si Aldo Turchiaro eksplorator i metafizikës së Karrasë dhe të realizmit ekspresiv të Gutuzos. Lëvizje artistike që ndërpritet pasi të rinjtë e Kalabrisë gjejnë, secili hapësirën e vetë artistike dhe një vendosje origjinale përkatëse. Gjithsesi ndarje me të shkuarën, eksperimentim personal dhe autentik. Në rastin specifik, Mauricio Karuzo zëvendëson apo i shton peisazhit natyror të jugut, plot me diell e me det, prekjen e një fantazie të shfrenuar të ruajtur në vetëvete në mënyrë aq origjinale, dhe që e nxjerr artistikisht në ekstrem gjersa kthehet në një botë surreale, intime dhe të vetmuar. Në artin e Mauricio Karuzos, fillimisht, të godet ngjyra. Alkmi e mistershme që përshkon dhe rievokon në shpirt përrallat e bukra që tregoheshin gjatë netëve me hënë. Përralla të ruajtura në peshtafin e kujtesës së një fëmijërie të jetuar në bregdetin kalabrez.

Prof. Rosa Maria Ancona





Kritika për inagurimin e ekspozitës personale të pikturës në Trapani më 17/05/2008

Mauricio Karuzo krijon brenda perimetrit të telajove të tij, një teknikë me ngjyrime të ndritëshme. Mauricio do të rikrijojë një mit të ditëve tona të etur për një "verum" poetike që të tejkalojë kontraditat e të përditshmes; të një dashurie që shndrrit gjithmonë gjer në përjetësi. Këtë të vërtetë ai në fragmente e zbulon sidomos në trupin e grave me fytyra gati enigmatike. Fytyra melankonike që duket sikur dalin nga ndonjë mozaik, që me gjithë ëmbëlsinë e tyre mbartin një shprehje ankthi. Nga kushtet shoqërore të ngarkuara me probleme që artisti i ndjen thellësisht, ai nxjerr në telajot e tij figura pemësh, por edhe zogjsh, sikundër edhe figura njerëzore të përshkuara nga gëzimi i jetës. I shenjtë është erosi për Mauricion siç është e shenjtë edhe dhimbja, mjafton të shohësh të kaltrën, portokallinë, të verdhën, për të ndjerë pafajësinë e jetës; duhet ndalur vështrimi mbi ngjyrat që duken copëzat e një mozaiku, por në të njëjtën kohë edhe duke menduar maskën e një arlekini për të kuptuar menjëherë vajtimin e heshtur të mendimeve të tij. Është e mbarsur me përshpirtmëri kjo pkturë me timbra sensuale. Aty pulson jeta me shkëlqimin e ngjyrave: të kuqe, të verdhë, blu, të kaltër, jeshile. Janë këto ngjyrat e vërtetësisë së pikturës.


Dr. Antonella Barbera




Mauricio Karuzos


Nuk e kam parë kurrë Mauricio Karuzon, edhe as kurrë nuk do ta shoh në "farkën e tij të artit" në Bolonjë, ndërmjet pikturave të tij të varura në mur apo të shpërndara tek tuk në të gjitha cepat e studio-punishtes në mes të tubetave gjysëm të zbrazur të ngjyrave, penelëve, lapsave, shishkave me bojë kine, telajove, fletëve prej letre e kartoni me masa të ndryshme që gjenden të hedhura ngado së bashku me mjetet e punës…, gjithsesi me ndihmën e fantazisë time arrij ta imagjinoj të ulur në tavolinën e punës për të vizatuar apo pikturuar mbi një telajo apo mbi një fletë vizatimi, besnik i impenjimit të tij kompozues, me aftësinë që e shquan, duke u përpjekur që të lindë një vepër të re arti. Veprat e tij që këtu të gjithë mund t’i admirojmë për së gjalli, për herë të parë i kam parë duke shfletuar faqet e katalogut të tij "NGJYRAT E HESHTJES " botuar në dhjetor të 2006-ës. Duke vëzhguar veprat e tij, gati në mënyrë të pavetëdijëshme, m’u desh të bëja shumë hapa mbrapsht në kohë: "Udhëtim në Egjipt", "Harqet në Rabat", "Migrim", "Akropoli", "Scopello",
"Salemi", por sidomos "Ahu Nau Nau në Anakena" ndërmjet Moaizëve të ishullit të Pashkës. Një udhëtim në kohë e në hapësirë nëpërmjet të cilit munda të admiroj peisazhe gjithë ngjyrë që duket sikur dalin nga kujtimet e një ëndrre të shqetësuar dhe në të njëjtën kohë irreale. Mjeti i pikturës është ngjyra, si fund dhe linjë. Artisti përdor ngjyrat e pastra: akrelik apo tempera dhe gati me dhunë kromatike transformon në vepër arti frutet e fantazisë së tij, fytyra të transfiguruara, peisazhe irreale të ëndërruara kushedi ku e kur, copëza mendimesh të cilave u jep formë dhe ngjyrë falë eksperiencës së tij më shumë se tridhjetëvjeçare. Ajo që ka rëndësi për Mauricio Karuzon është t’i japë intensitet veprës nëpërmjet përforcimit progresiv të impresioneve kromatike: ngjyra si shprehje e një ndjenje për të ruajtur brenda vetes gjithë forcën shprehëse.

 

Poeti dhe shkrimtari Vito Lumia

 

 

 

Kanë transmetuar shërbime dhe intervista mbi të: Nuovarete, San Marino RTV, Varese sat në programin “L’Italia di Di  Pre”, Toscana tv di Fabrizio Borghini

 

Artikuj mbi të kanë dalë edhe në gazetat: Il resto del carlino, Repubblica, Il Domani, Il giornale del Belice, Il giornale di Sicilia, Il Tirreno, Il Corriere della sera, La Nazione, Corriere fiorentino, Art Journal.


Lajme mbi të janë shfaqur edhe në sitet web: Feedlist, Teknemedia, Alimentahes, Exibart, Circus etj…

 

 

A domani in Trentino a Rovereto per la colletiva "Preludio d'Iverno: Arte del Tempo.dal 26 Novembre al 17 dicembre 2011 c/o Centro Culturale Casa Tani ,inaugurazione sabato alle ore 18,00.